Ballkani i Hapur: Refuzimi i tregut me miliona konsumatorë
Rajoni dhe Politika

Ballkani i Hapur: Refuzimi i tregut me miliona konsumatorë

12.Aug.2021 08:09
0

Refuzimi i institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, po bën që vendi të humbë mundësinë që t’i bashkohet një tregu më të gjerë konsumues si dhe po pamundësohen investime ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, thotë profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

 

Tre liderët e këtyre shteteve Aleksandar Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama atëbotë kishin nënshkruar edhe deklaratën e “mini-Shengenit”, e cila bazohet në katër liri themelore: lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve.

Kjo nismë parasheh kalimin e kufijve të qytetarëve duke përdorur vetëm letërnjoftimin, zvogëlimin dhe eliminimin e pengesave në vendkalimet kufitare, zvogëlimin e pengesave ekonomike, rritjen e turizmit brenda rajonit, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe lehtësira tjera.

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2023, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se është zotuar që do t’i bashkohet iniciativës së “mini-Shengenit” përmes Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë.

 

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e "mini-Shengenit", është nismë pa vizion për rajonin.

Kjo iniciativë, nuk po përkrahet as nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Gërxhaliu: Po humbet një treg prej 14 milionë konsumatorësh

Por, profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kosova nuk ka komoditet për politika refuzuese ndaj nismave që kanë për qëllim integrimin rajonal ekonomik.

“Që nga viti 1999, me Paktin e Stabilitetit ka pasur iniciativa të njëjta që kanë pasur një qëllim: përgatitjen e Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë në familjen evropiane. Në këtë drejtim edhe CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor) edhe Procesi i Berlinit kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim. Në këtë drejtim, nuk duhet të cenohet rrugëtimi në familjen evropiane, duhet të jemi pjesë e tyre. Nuk duhet të jemi të humbur”, thotë Gërxhaliu.

Kosova është në një pozitë të pafavorshme në tregun rajonal. Deficiti i lartë tregtar përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.

Gjatë vitit 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia) arritën në 210.7 milionë euro.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në vitin 2020 arritën në 615.3 milionë euro.

Një hulumtim që ka bërë Organizata joqeveritare Demokraci për Zhvillim ka vënë në pah se në Ballkanin Perëndimor, çdo iniciativë rajonale duhet të ketë aprovimin dhe bashkëpunimin nga gjashtë shtetet, në mënyrë që iniciativat rajonale të jenë efektive.

Në deklaratën e “mini-Shengenit”, sipas këtij hulumtimi, lista e katër lirive të vendosura jep përshtypjen se biznesi dhe tregtia janë prioritetet kryesore.

Sipas këtij hulumtimi, kjo është problematike për Kosovën, qytetarët e së cilës ende ballafaqohen me mungesën e lirisë së lëvizjes dhe kanë shumë vështirësi për t'u pajisur me viza për të udhëtuar jashtë vendit.

Më shpejtë e më lehtë në tregun rajonal

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, e cila përveç tjerash do të mundësonte lëvizjen e lirë të mallrave, po mbështetet nga kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila është e shtirë me produktet e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Për kompaninë tonë do të ishte një lehtësim, pasi që do të mundësonte që në të njëjtën kohë produktet tonë t’i plasojmë edhe në Shkup edhe në Podgoricë edhe në Tiranë, pse jo edhe në Beograd, ndonëse ka paragjykime për produktet ‘Made in Kosova’. Por, edhe atje do të mundemi, pasi që jemi prezent në Sanxhak dhe Luginën e Preshevës. Do ta lehtësonte të bërit biznes duke hequr shumë barriera jotarifore. Do të mundësonte më shpejtë dhe më lehtë qasjen në këto tregje”, thotë pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi.

 

Bashkimi i Kosovës në këto iniciativa rajonale, shton Palushi, është një rrugë që domosdoshmërish duhet ta kalojë Kosova për të qenë pjesë e integrimit në BE. Iniciativat që kanë përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, sipas tij, në aspektin ekonomik mund të kenë dobi.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik. Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik./REL/

Facebook mbyll llogari dezinformuese të lidhura me Rusinë
Përurohet libri "Edukimi fetar në shkollat e Luginës së Preshevës" i autorit Sedat Beqiri
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration