Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi? (video)
Rajoni dhe Politika

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi? (video)

05.Nov.2020 16:10
0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u bë presidenti i parë i vendit që akuzohet për krime lufte.

“Jam i gatshëm që të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm. Për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim”.

Kush është Hashim Thaçi?

Ai lindi në vitin 1968, në fshatin Burojë të Skënderajt. Nga viti 1990 deri në vitin 1993, Hashim Thaçi u angazhua në lëvizjen studentore, pikërisht në kohën kur pushteti i Beogradit mbylli të gjitha shkollat në Kosovë dhe Universitetin e vetëm, atë të Prishtinës.

Pas shumë viteve rezitencë paqësore, shumë të rinj e të reja shqiptar të Kosovës, filluan të organizoheshin për një rezistencë të armatosur. Në Kosovë u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Thaçi ishte një nga themeluesit e saj.

 

Nga viti 1997 deri në fundin  e luftës së Kosovës, në qershor të vitit 1999, Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike, një nga pozitat më të larta në UÇK. Në luftë ai e kishte nofkën “Gjarpri”, për shkak të aftësisë së tij për t’iu shmangur arrestimit nga policia dhe ushtria serbe.

Në fillim të vitit 1999, Thaçi ishte udhëheqës i ekipit negociator të shqiptarëve të Kosovës, në Rambuje të Francës, ku bashkësia ndërkombëtare ofroi një plan paqeje midis shqiptarëve dhe serbëve. Shqiptarët e nënshkruan planin, por Serbia e refuzoi.

Si pasojë, NATO filloi bombardimet në Serbi në 24 mars 1999, kryesisht kundër objektivave ushtarake. 

Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Përkohshëm i Kosovës në vitin 1999.

Në vitin 2001 u mbajtën zgjedhjet e para të paslufte. Por Partia e Hashim Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës, i humbi ato. Thaçi e vazhdoi rrugëtimin e tij si opozitar. Në vitin 2003, ai u arrestua në aeroportin e Hungarisë, në bazë të një urdhër arresti nga Beogradi që datonte që nga viti 1997. Një urdhër i tillë është ende aktiv, por shtetet kanë refuzuar ekzekutimin e këtij urdhri.

Në zgjedhjet e treta të pasluftës, në nëntor të vitit 2007, PDK-ja fitoi dhe Thaçi u bë Kryeministër. Tre muaj më vonë, në 17 shkurt 2008, Thaçi lexoi deklaratën e pavarsisë në Kuvendin e Kosovës.

Në vitet e para si Kryeministër, Thaçi filloi disa projekte të mëdha infrastrukturore, si ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë. Mirëpo shumë organizata joqeveritare brenda dhe jashtë Kosovës e akuzuan qeverinë e tij për nivel të lartë të korrupsionit dhe nepotizmit.

Kur në vitin 2011, Thaçi filloi mandatin e dytë si kryeministër, senatori zviceran në Këshillin e Europës, Dick Marty, publikoi një raport, ku akuzoi Thaçin dhe disa udhëheqës të tjerë të lartë të UÇK-së, për kryerjen e krimeve gjatë dhe pas luftës. Thaçi premtoi se do ta padisë Marty për shpifje, por nuk e bëri një gjë të tillë. Marty po ashtu gëzon imunitet nga çdo ndjekje për punën e bërë në Këshill.

Në zgjedhjet e vitit 2014, partia e Thaçit doli përsëri partia e parë, por Kryeministër u bë Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Thaçi u bë zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtëm.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën duke i hapur rrugë krijimit të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale që do të hetonte akuzat e Dick Marty. Thaçi ishte më i zëshmi duke i bindur deputetët ta votojnë këtë gjykatë vendore, por me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë. Sipas tij, nëse Kosova nuk do ta bënte Gjykatën, atëherë një gjë të tillë do ta bënte Këshilli i Sigurimit të OKB.

Në vitin 2016, Thaçi u zgjodh president i Kosovës dhe dha dorëheqjen nga partia. Rruga e tij si president do të mbahet mend kryesisht për negociatat me Aleksandar Vuçiç dhe për përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Serbinë.

Thaçi është i martuar dhe ka një djalë.

Merr flakë një automjet afër vend-pagesës rrugore në Preshevë
Policia arreston një qytetarë në Bujanoc me dyshimin trafikim të armëve dhe narkotikëve
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration